Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar strategjinë e opozitës për protestën e paralajmëruar më 10 shkurt, duke përjashtuar mundësinë e organizimit të protestave paralele në disa qytete njëkohësisht.
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha u pyet pse protesta nuk do të shtrihet në 4 apo 5 qytete, por do të zhvillohet vetëm në Tiranë. Ai u shpreh i prerë se fokusi do të jetë kryeqyteti, pasi sipas tij, pushteti real dhe vendimmarrja politike janë të përqendruara aty.
Sipas Berishës, qeveria nuk shqetësohet për problemet e qyteteve të tjera, por vetëm për Tiranën dhe për karriget e pushtetit. Ai solli si shembull edhe periudhën e fundit të komunizmit, duke kujtuar deklaratat e Ramiz Alisë, i cili sipas tij, pavarësisht zhvillimeve në qytete të tjera, kishte gjithmonë në fokus Tiranën.
“Ne duhet ta përqendrojmë betejën aty ku pushteti ndjen presionin më të madh. Tirana është zemra e këtij regjimi dhe aty duhet të jetë protesta”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, përqendrimi i forcave në një pikë të vetme është mënyra më efektive për të dërguar mesazhin politik dhe për të ushtruar presion ndaj qeverisë.
