Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Leoben në Austri, ku një fëmijë 12-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa autoritetet dyshojnë se është goditur me thikë nga nëna e tij.
Sipas mediave vendase, shërbimet e emergjencës u njoftuan pasditen e së premtes dhe ndërhynë në një apartament pranë spitalit LKH Leoben. Në vendngjarje, ekipet mjekësore gjetën fëmijën me plagë të rënda në zonën e qafës. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai nuk arriti të mbijetojë.
Raportohet se edhe nëna është gjetur e plagosur dhe është transportuar për ndihmë mjekësore. Gjendja e saj shëndetësore nuk bëhet e ditur.
Hetimet janë marrë në dorë nga Policia Kriminale Provinciale, e cila ka ngritur një ekip të posaçëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Autoritetet austriake nuk kanë dhënë ende informacione mbi motivet apo nëse janë ndërmarrë masa penale ndaj ndonjë personi.
