Apeli i Posaçëm i GJKKO-së ka rrëzuar ankimin e ish-presidentit Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë, duke e lënë atë në burg. Kërkesa për zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë më të butë u konsiderua e papranueshme nga gjykata, duke vulosur vijimin e paraburgimit të tij.
Vendimi i fundit i shtohet një sërë vendimesh të mëparshme të të gjitha shkallëve të gjyqësorit, të cilat kanë mbajtur në fuqi masën e arrestit. Meta i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se paraburgimi i zgjatur cenon të drejtat themelore dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Pas vendimit, ish-presidenti reagoi ashpër, duke akuzuar drejtësinë për manipulim dhe zvarritje të qëllimshme. Ai deklaroi se gjykata shmangu shqyrtimin real të ankesës së avokatëve të tij për të mos marrë përgjegjësi dhe se prokurorët kanë përdorur, sipas tij, gënjeshtra për të justifikuar zgjatjen e paraburgimit. Meta paralajmëroi se sot do të dalë publikisht për të “hapur letrat”.
Reagime të forta erdhën edhe nga përfaqësues të Partisë së Lirisë, të cilët e cilësuan mbajtjen në burg të Metës si të motivuar politikisht dhe si dëshmi të një drejtësie të kapur nga pushteti. Sipas tyre, ndërsa çështje të tjera të rënda zvarriten pa vendim, liderët e opozitës mbahen të izoluar pa prova bindëse.
Ilir Meta ndodhet në qeli që prej tetorit 2024 dhe akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Vendimi i fundit i GJKKO-së ka shtuar edhe më shumë përplasjen politike, duke ushqyer akuzat për standarde të dyfishta dhe përdorim selektiv të drejtësisë kundër kundërshtarëve të qeverisë.
