Skandali i mbetjeve toksike zvarritet, institucionet në përplasje dhe asnjë përgjegjës para drejtësisë

Data

Afera e mbetjeve toksike të lidhura me kompaninë Kurum International vijon të mbetet pa autorë të ndëshkuar, ndërsa hetimet për 102 kontejnerët e dyshuar si të rrezikshëm, të bllokuar në Porto Romano, kanë hyrë në një fazë të dyshimtë zvarritjeje. Prej muajit tetor 2024, dosja ndodhet në Prokurorinë e Durrësit, pa asnjë zhvillim konkret që të çojë në identifikimin e përgjegjësve.

Ngarkesa me mbetje u nis nga porti i Durrësit drejt Tajlandës pa miratimin e vendit pritës dhe u kthye mbrapsht pasi autoritetet ndërkombëtare konstatuan shkelje të rënda të Konventës së Bazelit, e cila ndalon transportin ndërkufitar të mbetjeve toksike pa autorizim. Pavarësisht rëndësisë së çështjes, hetimet kanë mbetur pezull, duke ngritur dyshime serioze për ndërhyrje politike dhe mungesë vullneti institucional.

Në këtë sfond, brenda Agjencisë Kombëtare të Mjedisit janë shfaqur përplasje të forta. Lëvizje të papritura në drejtim, pa shpjegime publike, kanë rritur dyshimet se po tentohet të kontrollohet ose zbehet përgjegjësia institucionale në një moment kritik për hetimin. Burime nga brenda institucionit flasin për tensione të forta dhe presion të shtuar ndaj strukturave që kanë pasur rol në lejimin, monitorimin dhe eksportimin e mbetjeve.

Ndërkohë, rezultatet laboratorike nga jashtë vendit kanë konfirmuar se mostrat e marra nga kontejnerët e sekuestruar rezultojnë të rrezikshme, duke e vendosur prokurorinë përballë detyrimit ligjor për të vepruar. Dokumentet tregojnë se çështja nuk kufizohet vetëm në këta 102 kontejnerë, por në eksporte të përsëritura të mbetjeve të rrezikshme, të kryera përmes një skeme të strukturuar ku dyshohet për përfshirje të institucioneve shtetërore.

Përgjegjësia, sipas të dhënave publike, shtrihet në disa nivele dhe institucione, përfshirë strukturat mjedisore, doganat dhe administratën fiskale, të cilat kanë dështuar të kontrollojnë kodet e mbetjeve dhe procedurat e eksportit. Skandali nuk shihet si vepër individuale, por si rezultat i një bashkëpunimi të organizuar.

Në qendër të kësaj afere janë përmendur edhe tre ministra të rëndësishëm të qeverisë, të cilët dyshohet se kanë pasur role kyçe në licencim, mbikëqyrje dhe lehtësim të transportit të mbetjeve jashtë vendit. Megjithatë, asnjë hetim penal nuk ka avancuar ndaj tyre, ndërsa heshtja politike është e plotë.

Në mënyrë domethënëse, edhe opozita ka zgjedhur të mos reagojë, një qëndrim që lidhet me marrëdhëniet e vjetra mes kompanisë Kurum dhe qeverive të mëparshme. Përfitimet koncesionare, privatizimet dhe kontratat strategjike të dhëna ndër vite e kanë kthyer Kurum-in në simbol të lidhjes mes politikës dhe interesave të mëdha ekonomike, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet.

Sot, mbetjet toksike vazhdojnë të qëndrojnë në territorin shqiptar, ndërsa dosja rrezikon të arkivohet në heshtje. Në një realitet ku çështjet që prekin interesa të mëdha zvarriten sistematikisht, vetëm një hetim i pavarur në nivel të lartë mund të thyejë murin e pandëshkueshmërisë. Deri atëherë, ky skandal mbetet një tjetër provë e dështimit të shtetit për të mbrojtur mjedisin, ligjin dhe interesin publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related