Me urdhër të SPAK, agjentët e BKH dhe forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle në kompaninë farmaceutike Evita, e lidhur me biznesmenin Klodian Allajbeu. Kontrollet janë kryer në ambientet e kompanisë në Laknas, si edhe në një subjekt tjetër në zonën e ish-Bllokut dhe në një banesë në Selitë, në kuadër të hetimeve për koncesionet në shëndetësi dhe dyshimet për shkelje të rënda në procedurat e prokurimit publik.
Hetimet lidhen me një tender për pajisje të shërbimit të kardiokirurgjisë, me vlerë rreth 750 milionë lekë, ku kompania Evita është shpallur fituese pavarësisht se kishte paraqitur një ofertë ndjeshëm më të lartë se konkurrenti tjetër. Sipas të dhënave, diferenca mes ofertave arrinte rreth 120 milionë lekë, çka ka ngritur dyshime serioze për manipulim të garës.
Historia e kompanisë Evita ngre pikëpyetje të forta. Nga një biznes i vogël i krijuar në Berat, ajo u shndërrua brenda pak vitesh në një nga përfituesit kryesorë të fondeve publike në sektorin e shëndetësisë. Lidhjet me rrjetin e spitaleve private të Allajbeut janë dokumentuar ndër vite, përmes bashkëpunimeve, adresave të përbashkëta dhe rolit të personave kyç që kanë lëvizur nga struktura të tij drejt drejtimit të kompanisë.
Një nga momentet kyçe ishte krijimi i kompanisë DiaVita, e cila fitoi koncesionin e hemodializës me vlerë dhjetëra miliona euro. Edhe pse aksionet kryesore figuronin në emër të Evita-s, zbatimi real i kontratës iu besua rrjetit privat të Allajbeut. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar shkelje serioze në këtë koncesion, përfshirë pagesa të dyfishta dhe dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.
Përveç koncesioneve, kompani të lidhura me këtë rrjet kanë përfituar edhe nga tendera të zhvilluar gjatë pandemisë, për blerjen e testeve dhe pajisjeve mjekësore, në procedura që janë cilësuar si jo transparente dhe me vlera shumë të larta financiare.
Sipas të dhënave zyrtare, pasuria e Allajbeut arrin në miliona euro, e ndërtuar kryesisht përmes shërbimeve shëndetësore private dhe kontratave me shtetin, nën qeveri të majta dhe të djathta. Ai konsiderohet sot një nga figurat më të fuqishme ekonomike në sektorin e shëndetësisë, me ndikim të drejtpërdrejtë në politikat publike.
Hetimet ndaj tij nuk kufizohen vetëm në Shqipëri. Emri i Allajbeut ka dalë edhe në dosje hetimore jashtë vendit, për skema të dyshuara pastrimi parash dhe falsifikim dokumentesh, duke e vendosur atë në fokus të autoriteteve të drejtësisë në disa juridiksione.
Kontrollet e fundit nga SPAK dhe BKH shihen si një sinjal se dosjet e mëdha të shëndetësisë po rihapen, por mbetet për t’u parë nëse hetimet do të shkojnë deri në fund apo do të ndalen sërish përballë fuqisë ekonomike dhe lidhjeve politike. Për momentin, ajo që del në pah është një histori e gjatë përfitimesh publike, e ndërtuar mbi tendera, koncesione dhe një sistem që prej vitesh nuk ka dhënë llogari.
