Transportuesit serbë i japin fund bllokadës, rifillon qarkullimi i kamionëve nga Kosova drejt Serbisë

Data

Ka rinisur këtë të premte qarkullimi i kamionëve dhe mjeteve transportuese nga Kosova drejt Serbisë, pasi transportuesit serbë kanë vendosur t’i japin fund bllokadës disaditore në pikat kufitare. Lajmi është konfirmuar nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës.

Transportuesit serbë thanë se vendimi për heqjen e bllokadës u mor pas pesë ditësh proteste, pasi Komisioni Evropian ka sqaruar se shoferët profesionistë përbëjnë një kategori të veçantë punëtorësh, të cilët kërkojnë trajtim specifik për qëndrimin në territorin e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, edhe transportuesit nga Bosnja kanë konfirmuar se kanë hequr bllokadat kufitare, ndërsa një ditë më parë të njëjtin vendim e kishin marrë edhe kolegët e tyre nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Bllokadat kishin prekur rëndë qarkullimin e mallrave në rajon, me terminale të mbyllura për disa ditë në dhjetëra pika kufitare. Transportuesit protestonin kundër kufizimit të qëndrimit në Zonën Schengen, duke kërkuar zgjatjen e periudhës nga tre në katër muaj brenda një afati gjashtëmujor.

Sipas përllogaritjeve të dhomave të tregtisë në rajon, dëmi ekonomik ditor nga bllokadat arrinte në rreth 100 milionë euro, duke ndikuar drejtpërdrejt në zinxhirët e furnizimit dhe në kontratat tregtare.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë e ka përshëndetur heqjen e bllokadave, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv drejt normalizimit të qarkullimit të mallrave dhe lehtësimit të barrës për bizneset kosovare, të cilat ditët e fundit janë përballur me vonesa, rritje kostosh dhe pasiguri ekonomike.

Kosova nuk mori pjesë në protestë, por u prek ndjeshëm nga pasojat e saj, pasi pjesa më e madhe e importeve dhe eksporteve realizohet përmes tranzitit në vendet e rajonit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related