Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Ksamil, ku një varkë që përdorej për shëtitjen e pushuesve është përmbytur gjatë natës, ndërsa ndodhej e ankoruar pranë bregut të detit.
Mëngjesin e sotëm, pronari i mjetit lundrues ka konstatuar se varka ishte mbytur dhe ka kërkuar ndihmën e një vinçi për ta nxjerrë nga uji. Pas nxjerrjes, janë vërejtur elementë që ngrejnë dyshime serioze për ndërhyrje të qëllimshme.
Sipas pronarit, tapat e varkës rezultonin të hequra, çka ka bërë që mjeti të marrë ujë dhe të fundosej. Ky fakt përforcon dyshimet se nuk bëhet fjalë për një defekt teknik apo kushte natyrore, por për një akt sabotimi.
Pronari ka ngritur dyshime se ngjarja mund të lidhet me konkurrencën në sektorin e shërbimeve turistike, një problem që prej vitesh shoqëron zonat bregdetare gjatë sezonit.
Autoritetet pritet të nisin verifikimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit dhe për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një akt të qëllimshëm apo vepër penale.
