Shiste si “origjinale” marka luksi të falsifikuara, arrestohet pronari i dyqanit në Tiranë

Data

Policia e Tiranës ka arrestuar një 29-vjeçar, i cili dyshohet se shiste veshje dhe aksesorë me logo të markave ndërkombëtare, të paraqitura si origjinale, por që rezultonin të falsifikuara.

Sipas njoftimit zyrtar, i riu me inicialet H. R. ushtronte aktivitetin e tij në një dyqan në rrugën “Sulejman Delvina”, ku gjatë kontrolleve u konstatuan shkelje të rënda ligjore. Në ambientet e subjektit u gjetën veshje, çanta, syze dhe ora me logo të markave të njohura, për të cilat pronari nuk dispononte fatura blerjeje dhe as dokumentacion që vërtetonte origjinën e mallrave.

Gjithashtu, dyshohet se për shitjen e këtyre produkteve nuk lëshoheshin kuponë tatimorë, me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale.

Operacioni u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të kontrolleve për luftën kundër informalitetit dhe tregtimit të produkteve të falsifikuara.

Të gjitha mallrat e dyshuara si të rreme janë sekuestruar, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related