“Prova zjarri për opozitën”/ Xhaferri: Nëse Rama ia hedh edhe këto tre muaj, do të qeverisë edhe për 50 vite

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, deklaroi se tre muajt e ardhshëm janë vendimtarë për fatin politik të vendit, duke i cilësuar si një “provë zjarri” për opozitën dhe mazhorancën.

I ftuar në një studio televizive, Xhaferri u shpreh se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë legjitimiteti qeverisës dhe se sot nuk bëhet më fjalë për akuza politike, por për fakte konkrete. Sipas tij, nëse kryeministri arrin t’i shpëtojë edhe kësaj vale presioni dhe akuzash, atëherë do të konsolidojë pushtetin për dekada.

“Nëse Rama ia hedh edhe këto tre muaj, do të rrijë edhe 50 vite. Kjo është prova përfundimtare, jo vetëm për opozitën, por për vetë demokracinë në Shqipëri,” – u shpreh Xhaferri.

Ai theksoi se situata aktuale kërkon zgjidhje politike të jashtëzakonshme, duke vënë theksin te nevoja për një qeveri tranzitore dhe një reformë të thellë zgjedhore. Sipas tij, zgjedhjet nuk mund të jenë të ndershme pa rregulla të barabarta dhe pa përdorimin e pushtetit shtetëror në fushatë.

Xhaferri sqaroi se opozita është e hapur ndaj iniciativave që synojnë bashkimin e ideve dhe krijimin e një fronti të gjerë opozitar, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht garim në të njëjtin koalicion.

“Faza e parë është të vendosim rregulla të barabarta. Pastaj secili vendos si do të dalë në garë,” – tha ai.

Duke folur për ndryshimin e sistemit zgjedhor, deputeti demokrat konfirmoi se opozita është pro reformimit të thellë të sistemit, përfshirë krijimin e një qeverie tranzitore që garanton barazi reale mes forcave politike.

Në fund, Xhaferri paralajmëroi se nëse mazhoranca refuzon ndryshimet dhe vijon të mbajë pushtetin me të njëjtat mekanizma, opozita nuk do të mbetet pasive.

“Nëse nuk ka zgjidhje politike, do të dalim në protesta. Çdo regjim është i rrëzueshëm,” – përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related