“SPAK ka prova për intimidim dëshmitarësh”, Kopliku: Balluku po ndërhyn në drejtësi

Data

Drejtuesi i Departamentit “BrainGain” në Partinë Demokratike, Tedi Kopliku, ka deklaruar se shtyrja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku është e pajustifikueshme dhe në shkelje të logjikës ligjore.

Në një dalje televizive, Kopliku u shpreh se Prokuroria e Posaçme disponon prova që, sipas tij, tregojnë se Balluku ka ndërhyrë dhe vijon të ndërhyjë në procesin hetimor duke intimiduar dëshmitarë. Ai theksoi se pikërisht për këtë arsye Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet pa vonesë dhe të marrë vendim për heqjen e imunitetit.

Sipas Koplikut, justifikimi i mazhorancës për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk qëndron, pasi çështja në Kushtetuese lidhet me pezullimin nga detyra, ndërsa Këshilli i Mandateve ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kërkesën e SPAK lidhur me masën e arrestit dhe imunitetin parlamentar.

Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për kontroll mbi sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar rastin Balluku si shembullin më të qartë të ndërhyrjes politike në hetime. Kopliku shtoi se opozita duhet të intensifikojë reagimin politik, duke e konsideruar këtë betejë si një përballje afatgjatë kundër asaj që e cilësoi kapje të drejtësisë.

Deklaratat vijnë në një moment tensioni të lartë politik, ndërsa kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres vijon të mbetet pa u shqyrtuar nga Kuvendi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related