SPAK ka dhënë pretencën për dosjen e tenderëve të dyshuar abuzivë për rikonstruksionin e katër komisariateve të Policisë së Shtetit, duke kërkuar në total 11 vite e 3 muaj burg për 15 ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, të akuzuar për shkelje të procedurave dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas organit të akuzës, tenderët për supervizimin e komisariateve në Vlorë, Komisariatin nr.4 në Tiranë, Pogradec dhe Mirditë, me një vlerë rreth 555 mijë euro, janë zhvilluar në kundërshtim me ligjin për të favorizuar një kompani të caktuar.
Për 9 ish-zyrtare femra, SPAK ka kërkuar dënim 9 muaj burg, i cili ulet në 6 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa është kërkuar pezullimi i dënimit dhe vendosja e tyre në shërbim prove për 1 vit.
Ndërkohë, për ish-zyrtarët meshkuj, SPAK ka kërkuar dënime me burg pa aplikimin e nenit për shmangien e vuajtjes së dënimit. Për secilin prej tyre është kërkuar 9 muaj burg, që zbret në 6 muaj pas gjykimit të shkurtuar.
SPAK ka kërkuar gjithashtu për të gjithë të pandehurit:
- Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite
Çështja ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca, është ndarë më vete, pasi ai ka kërkuar gjykim të zakonshëm. Në kuadër të hetimit është marrë në pyetje edhe ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Sipas SPAK, shkeljet në këto procedura kanë cenuar barazinë në tendera dhe kanë prodhuar dëm financiar, duke e çuar çështjen drejt gjykimit si një nga dosjet që ekspozon abuzimet me fondet publike në sektorin e sigurisë.
