Gjykata Speciale ka njoftuar se gjykimi në çështjen kundër Hashim Thaçit dhe të bashkëpandehurve do të nisë më 27 shkurt 2026, duke u shtyrë nga data e parashikuar fillimisht, 24 shkurt.
Vendimi është marrë më 28 janar 2026 nga gjykatësi i vetëm Kristofer Gosnell, i cili miratoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për ndryshimin e datës së fillimit të procesit gjyqësor.
Në këtë çështje, përveç Thaçit, janë të përfshirë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Procesi përbën gjykimin e dytë ndaj Thaçit në Hagë.
Sipas njoftimit, në seancat e para të gjykimit pritet të paraqiten tre dëshmitarë, për të cilët Prokuroria ka zbuluar paraprakisht natyrën dhe përmbajtjen e dëshmive.
