Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, ka ngritur shqetësime serioze mbi përdorimin e ishullit të Sazanit për projekte turistike, duke theksuar se zona ka një rëndësi të veçantë strategjike dhe ushtarake që nuk mund të anashkalohet.
I ftuar në një emision televiziv, Meçollari deklaroi se çdo vendimmarrje për zhvillimin e ishullit duhet të marrë parasysh pozicionin gjeopolitik të Gjirit të Vlorës dhe kapacitetet e tij natyrore në funksion të sigurisë kombëtare.
Sipas tij, Gjiri i Vlorës është një nga zonat detare më të mbrojtura natyrshëm në rajon. Ai kujtoi se dokumente dhe fotografi të vitit 1916 tregojnë se gjatë periudhës italiane, në këtë gji kanë qëndruar në spirancë deri në 40–50 anije njëkohësisht. Gjiri është i thellë, i mbrojtur nga Sazani dhe Karaburuni dhe ofron dalje të shpejtë drejt Kanalit të Otrantos dhe Mesdheut Qendror.
Meçollari e krahasoi Gjirin e Vlorës me gjirin e Tarantos në Itali, duke theksuar se ndryshe nga Taranto, i cili ndodhet jashtë Adriatikut dhe u godit rëndë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjiri i Vlorës ka mbrojtje më të fortë natyrore nga brenda, çka e bën atë më të sigurt në aspektin ushtarak.
Ai u ndal gjithashtu te rëndësia e porteve shqiptare, veçanërisht atij të Durrësit, duke rikujtuar vlerësimet e bëra nga drejtues të NATO-s për rolin strategjik të Shqipërisë në rast konfliktesh. Sipas Meçollarit, vendi përbën një korridor kyç për lëvizjen e forcave të aleancës, bashkë me linjat nga Europa Veriore dhe Qendrore.
Në këtë kontekst, ish-komandanti ngriti pikëpyetje mbi ndikimin që mund të ketë shndërrimi i zonave strategjike në struktura thjesht turistike, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të cenojë kapacitetet logjistike dhe reagimin e shpejtë në raste emergjence apo konflikti.
