Kanë kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga depozitimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërsa Kuvendi ende nuk ka marrë asnjë vendim. Kjo vonesë po ngre dyshime serioze se mazhoranca po përdor kohën si strategji për të shmangur përgjegjësinë politike dhe ligjore.
Analisti Erl Murati u shpreh se, sipas rregullores së Kuvendit, kërkesa e SPAK duhet të shqyrtohej brenda dy javësh nga Këshilli i Mandateve, gjë që nuk ka ndodhur. Ai theksoi se Kuvendi ka një afat maksimal prej tre muajsh për të marrë vendim, përndryshe kërkesa bie automatikisht.
“Nëse Kuvendi nuk vendos brenda këtij afati, kërkesa konsiderohet e rrëzuar pa pasur nevojë për votim. Kjo është strategjia e mazhorancës dhe e kryeministrit: të digjen afatet ligjore për të shmangur arrestimin”, u shpreh Murati.
Sipas tij, kjo sjellje lidhet edhe me ndryshimin e qëndrimit të kryeministrit Edi Rama ndaj reformës në drejtësi. Murati vuri në dukje se Rama ka qenë për vite mbështetës i SPAK dhe institucioneve të drejtësisë, por kjo retorikë ka ndryshuar ndjeshëm dy vitet e fundit, sidomos pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Analisti paralajmëroi se zvarritja e çështjes po rrit dyshimet për ndërhyrje politike dhe po e mban procesin në një gjendje pezull, duke cenuar besimin publik te drejtësia dhe barazia para ligjit.
