Autoritetet turke kanë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për spiunazh në favor të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Sipas hetimeve, ata dyshohet se monitoronin objekte ushtarake dhe vende strategjike në disa zona të Turqisë.
Operacioni u zhvillua pas një hetimi të përbashkët mes agjencisë së inteligjencës turke dhe njësive antiterroriste. Bastisjet u kryen njëkohësisht në pesë provinca, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë.
Mes të ndaluarve ndodhet edhe një shtetas iranian. Autoritetet dyshojnë se grupi ka kryer zbulime rreth bazës ajrore të Incirlikut në provincën e Adanas, ku janë të stacionuara edhe forca amerikane.
Sipas burimeve hetimore, të arrestuarit kanë transmetuar informacione të ndjeshme inteligjence dhe logjistike te shërbimet iraniane. Gjithashtu, janë gjetur prova që tregojnë se ata kishin monitoruar edhe dërgesa dronësh që kalonin përmes territorit turk për t’u përdorur në vende të tjera.
Ambasada iraniane në Ankara nuk ka reaguar ende lidhur me arrestimet. Hetimet për rastin vijojnë.
