Bllokada e kufijve godet bizneset kosovare, rritet frika për çmime më të larta

Data

Bizneset në Kosovë po përballen me pasoja të drejtpërdrejta nga bllokimi i pikave kufitare në rajon dhe drejt Bashkimit Evropian, duke rritur rrezikun për humbje kontratash dhe shtrenjtim të produkteve.

Kompania kosovare “Relux”, prodhuese e ngjyrave dhe fasadave, nuk ka arritur të dërgojë produktet drejt Britanisë së Madhe sipas planit, për shkak të ndalimit të qarkullimit të mallrave. Drejtuesi i saj paralajmëron se vonesat mund të çojnë në humbjen e një prej blerësve më të rëndësishëm dhe rrezikojnë kontrata të tjera në Gjermani dhe Kroaci.

Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë bllokuar që prej 26 janarit disa pika kufitare, në shenjë proteste kundër sistemit të ri të BE-së për hyrje-daljet (EES). Ata kërkojnë përjashtim nga kufizimi i qëndrimit 90 ditë brenda 180 ditësh, duke paralajmëruar se bllokada mund të zgjasë deri në shtatë ditë.

Edhe pse Kosova nuk është pjesë e protestës, ajo ndikohet drejtpërdrejt, pasi shumica e importeve dhe eksporteve realizohen përmes tranzitit në këto vende. Vonesat po prekin edhe importuesit, të cilët rrezikojnë gjoba kontraktuale dhe humbje reputacioni.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka paralajmëruar se zgjatja e bllokadës mund të ndikojë jo vetëm bizneset, por edhe konsumatorët, përmes rritjes së çmimeve. Ekspertët e ekonomisë theksojnë se varësia e lartë nga importi e bën Kosovën veçanërisht të ndjeshme ndaj krizave të jashtme.

Ata kërkojnë masa mbrojtëse për konsumatorët dhe prodhuesit vendorë, përfshirë lehtësime fiskale për produktet bazë dhe mbështetje më të madhe për prodhimin vendas, për të zbutur efektet e krizave të importuara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related