Skandal rrugësh miliona euro, Balluku përballë një stuhie akuzash

Data

Çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku pritet të hyjë në një fazë edhe më të rëndë, me zgjerim të akuzave dhe kallëzime të reja penale. Gazetari Almer Toska deklaroi se në dosjen hetimore ekzistojnë “fakte shumë të rënda”, të cilat ende nuk janë bërë publike, por që sipas tij mund të çojnë në shtimin e veprave penale ndaj Ballukut.

Sipas Toskës, deputetë që kanë pasur akses në dosje flasin për shkelje serioze ligjore në disa prej projekteve më të kushtueshme infrastrukturore të vendit, përfshirë aksin Thumanë–Kashar dhe Korçë–Ersekë. Ai theksoi se largimi i Ballukut nga detyra mund të vijë vetëm përmes shtimit të akuzave të reja dhe jo përmes manovrave politike që po zvarrisin procesin.

Gazetari bëri të ditur se do të paraqitet personalisht në SPAK për të depozituar një kallëzim penal ndaj Belinda Ballukut dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, lidhur me Tunelin e Murrizit në Rrugën e Arbrit. Sipas tij, disponohet një dokument zyrtar, një shkresë drejtuar ARRSH-së, ku kërkohen sqarime për shembjet e ndodhura në tunel.

Nga përgjigjja zyrtare e ARRSH-së, sipas Toskës, rezulton se Tuneli i Murrizit nuk është dorëzuar ende për kolaudim, pavarësisht faktit se është hapur për qarkullim. Ai e cilësoi këtë situatë si një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve, duke theksuar se projekti ka kushtuar rreth 149 milionë euro dhe është vënë në përdorim pa përmbushur kushtet ligjore.

Në deklaratat e tij, Toska përmendi edhe segmentin Qukës–Qafë Plloçë, duke theksuar se ky aks është shembur dhe sipas ekspertëve ekziston rreziku real që të mbyllet sërish për shkak të problemeve strukturore serioze.

Një tjetër pikë shqetësimi e ngritur ishte Komisioni i Prokurimit Publik. Toska pretendoi se një person i afërt me Ballukun, Irma Droboniku, është vendosur në këtë institucion dhe po përgatitet të marrë drejtimin e tij, në kundërshtim me ligjin, pasi sipas tij nuk plotëson kriterin minimal të përvojës profesionale.

Sipas gazetarit, të gjitha këto fakte përbëjnë një zinxhir abuzimesh me vlera qindra milionë euro dhe paralajmërojnë një “furtunë” të re akuzash që mund të trondisë jo vetëm Ballukun, por edhe strukturat drejtuese të sektorit të infrastrukturës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related