Gazetari Almer Toska ka hedhur akuza të forta mbi zhvillimet e fundit politike, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama ndodhet nën presion të madh për shkak të çështjes së zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila po hetohet nga SPAK.
Sipas Toskës, problemi kryesor për Ramën nuk është vetë Balluku, por frika nga krijimi i një precedenti në Gjykatën Kushtetuese, që do të linte në fuqi vendimet e drejtësisë. Ai pretendon se gjykata është vënë nën presion dhe se përfshirja e Komisionit të Venecias shihet si një manovër për të fituar kohë.
Gazetari deklaroi se Balluku ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj në institucione kyçe dhe ka nisur spastrime të brendshme për të vendosur njerëz të besuar. Sipas tij, brenda mazhorancës ka tensione të forta, xhelozi dhe përplasje mes ministrave.
“Përflitet se Rama është peng i Ballukut dhe se ajo zotëron materiale që e implikojnë kryeministrin. Prej dy vitesh Rama nuk firmos vendime të rëndësishme. Në shkurt mund të kemi një shkarkim masiv ministrash, me kërkesë të Ballukut”, tha Toska.
Ai shtoi se kjo situatë po dëmton seriozisht imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe po rrezikon procesin e integrimit europian, ndërsa mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë ndaj qeverisë po lëkundet.
