Kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës, Edison Memolla, është paraqitur në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion për t’u njohur me vendimin që pritet të shpallet lidhur me çështjen e tij penale.
Memolla është dënuar në Shkallën e Parë me 1 vit burg dhe 5 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike, ndërsa Apeli pritet të vendosë nëse do ta lërë në fuqi dënimin, do ta prishë vendimin ose do ta rikthejë çështjen për rigjykim.
Ai u shpall fajtor pas një hetimi të SPAK, ku një audio-përgjim tregoi se, gjatë fushatës për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, kishte ndërhyrë tek një punonjës i OSHEE-së për të mos i ndërprerë energjinë një qytetari debitor, me qëllim sigurimin e votës.
Në të njëjtën dosje janë dënuar edhe persona të tjerë për korrupsion zgjedhor.
