Prej më shumë se dy javësh, bizneset në të gjithë vendin po përballen me vështirësi serioze për shkak të mosfunksionimit të sistemit Self-Care, i cili përdoret për fiskalizimin dhe shërbime të tjera tatimore. Ekonomistë dhe të vetëpunësuar raportojnë se sistemi bie vazhdimisht ose nuk lejon hyrjen, duke bllokuar proceset bazë të punës.
Aleanca e Profesionistëve të Lirë i është drejtuar zyrtarisht institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar zgjidhje urgjente, udhëzim dhe garanci që bizneset të mos penalizohen për vonesa që nuk varen prej tyre. Sipas APL-së, deri tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar.
Problemet më të shpeshta lidhen me pamundësinë për të fiskalizuar faturat, mosregjistrimin e certifikatave të reja, mosfiskalizimin e faturave të importit dhe mospërputhjet në rakordime. Të vetëpunësuarit janë më të prekurit, pasi Self-Care është i vetmi shërbim falas që përdorin dhe bllokimi i tij po i lë pa të ardhura.
Sipas APL-së, situata po sjell ndërprerje pune, kosto shtesë operative, humbje klientësh dhe rrezik real për gjoba e penalitete. Ndikimi negativ pritet të reflektohet edhe në arkëtimet tatimore.
Burime jozyrtare flasin për një kombinim faktorësh, nga zvarritja e proceseve teknike deri te mungesa e stafit specialist, që ka paralizuar shërbimet elektronike për bizneset. Ndërkohë, bizneset kërkojnë transparencë dhe një afat të qartë se kur sistemi do të rikthehet plotësisht funksional.
