Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se shtyrja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku është një manovër politike për të bllokuar drejtësinë.
Në një lidhje televizive, Alibeaj theksoi se nuk ekziston asnjë lidhje ligjore mes vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin nga detyra dhe kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit. Sipas tij, kjo “lidhje” është krijuar artificialisht nga kryeministri Edi Rama për të fituar kohë dhe për të zvarritur procesin.
Ai nënvizoi se SPAK tashmë ka ndryshuar kërkesën, duke kërkuar masa më të rënda sigurie, dhe për këtë arsye vendimi i Kushtetueses nuk ka asnjë ndikim në veprimet e Prokurorisë së Posaçme. Mosheqja e imunitetit, sipas Alibeajt, është e barasvlershme me “t’i presësh njërën dorë” SPAK-ut dhe prodhon drejtësi gjysmake.
Alibeaj e cilësoi Ramën si “një njeri të frikësuar”, duke shtuar se Ekzekutivi dhe Parlamenti po veprojnë së bashku për të penguar Reformën në Drejtësi. Ai bëri thirrje që Uashingtoni dhe Brukseli të reagojnë, duke paralajmëruar se po përgatitet një goditje e rrezikshme ndaj pavarësisë së drejtësisë në Shqipëri.
