16 mijë të pushuar nga puna, Amazon nis shkarkimet masive

Data

Gjiganti amerikan i teknologjisë Amazon ka konfirmuar nisjen e një vale të re shkarkimesh masive, duke larguar nga puna rreth 16 mijë punonjës në nivel global. Lajmi u bë i ditur vetëm pak orë pasi një email i brendshëm, i dërguar gabimisht stafit, ekspozoi planin e kompanisë për shkurtime të reja.

Sipas njoftimit, shkurtimet prekin punonjës në SHBA, Kanada dhe Kosta Rikë, si pjesë e një strategjie për “forcimin e kompanisë” dhe uljen e burokracisë. Amazon deklaroi se ky proces është vazhdim i ristrukturimeve të nisura prej më shumë se një viti.

Zyrtarja e lartë e kompanisë, Beth Galetti, tha se Amazon nuk synon shkurtimesh të vazhdueshme çdo disa muaj, por pranoi se disa ekipe nuk kishin përfunduar ende ndryshimet organizative të nisura në vjeshtë. Vetëm në tetor, kompania kishte shkurtuar rreth 14 mijë vende pune në sektorin e korporatave.

Amazon punëson rreth 1.5 milionë njerëz në mbarë botën, nga të cilët afërsisht 350 mijë janë në role korporative. Kompania nuk ka bërë të ditur ende se cilat departamente apo vende do të preken më shumë nga vala e fundit e shkarkimeve.

Punonjësit e larguar nga puna janë informuar se mund të riaplikojnë për pozicione të hapura brenda kompanisë, por numri i këtyre vendeve është i kufizuar. Ata që nuk sistemohen në role të reja do të përfitojnë kompensim financiar, bazuar në kohëzgjatjen e punësimit në Amazon.

Shkurtimet e fundit pritet të thellojnë më tej pasiguritë në sektorin e teknologjisë, i cili prej muajsh po përballet me valë të vazhdueshme pushimesh nga puna në kompani të mëdha globale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related