Në lagjen nr. 14 të qytetit të Durrësit ka vijuar edhe këtë të mërkurë aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për prishjen e banesave, në kuadër të projektit për zgjerimin e kanalit të ujërave të larta. Aksioni, i nisur dy ditë më parë, ka hasur në kundërshtimin e fortë të banorëve, të cilët thonë se janë lënë pa asnjë zgjidhje strehimi.
Dhjetëra familje shprehen se janë detyruar të kalojnë natën jashtë, në kushte të vështira, mes të ftohtit të dimrit. Sipas tyre, mes të prekurve ka fëmijë, të moshuar dhe persona të sëmurë, ndërsa askush nuk u ka ofruar strehim alternativ.
“Kemi mbetur në mes të katër rrugëve. Nuk mund të kalohet dimri jashtë,” shprehen banorët, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të institucioneve.
Përfaqësuesi i banorëve, Ismail Jakupi, deklaron se i është drejtuar bashkisë me kërkesë zyrtare për ndërprerjen e përkohshme të aksionit dhe gjetjen e një zgjidhjeje humane për familjet e prekura. Ai thekson se një pjesë e banesave janë në proces legalizimi dhe se bëhet fjalë për 16 shtëpi dhe 4 barraka, për të cilat ende nuk ka një vendim përfundimtar.
“Ne nuk po kundërshtojmë projektin, por kërkojmë një zgjidhje të drejtë. Nuk mund të hidhen njerëzit në rrugë pa asnjë alternativë,” tha Jakupi.
Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit ka deklaruar se aksioni i IKMT-së nuk mund të ndalet, pasi lidhet me sigurinë infrastrukturore dhe parandalimin e përmbytjeve. Sipas bashkisë, afati 10-ditor i parashikuar për procedurat nuk ka përfunduar ende, çka do të thotë se familjet duhet të presin për hapa të mëtejshëm.
Kjo situatë ka lënë dhjetëra familje pa strehë dhe pa ndihmë të menjëhershme, duke rritur tensionin mes banorëve dhe autoriteteve. Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat, ndërsa kërkojnë ndërhyrje urgjente për strehim dhe trajtim dinjitoz.
Situata mbetet e paqartë dhe presioni ndaj Bashkisë së Durrësit po rritet, ndërsa familjet e prekura shpresojnë për një zgjidhje të shpejtë dhe humane.
