Kur njerëzit me integritet nuk i thonë të vërtetat, ata pa e kuptuar i ndihmojnë falsifikatorët e historisë të legjitimojnë gënjeshtrat. Edhe më keq, detyrohen të dëgjojnë leksione për “moral” nga njerëz që moral kuptojnë vetëm borderonë ku paguhen.
Më e rëndë bëhet kur gënjeshtrat shpërndahen nga ish-drejtues institucionesh që mbajnë përgjegjësi për veprimet ose mashtrimet e kohës kur ishin në detyrë.
21 Janari 2011
Kam dëgjuar pretendime se në atë kohë u bë “hataja” për 700 mijë euro, ndërsa sot flitet për dhjetëra milionë. Por kushdo që e njeh realitetin e asaj kohe e di se organizimi për protestën e 21 Janarit nuk lindi “brenda 10 ditësh”; përgatitjet kishin nisur më parë.
Në atë periudhë, pas një viti në krye të Ministrisë së Jashtme, unë dhe Kryeministri Berisha ramë dakord për një rokadë mes dy ministrive që drejtonte LSI. Arsyeja kryesore ishte se nuk mund të drejtoja në mënyrë efektive partinë, ndërsa afronin zgjedhjet vendore, pasi kisha qenë shumë ditë jashtë shtetit.
Vendimin ia komunikova edhe personit me të cilin do bëhej rokada. Më pas ai nisi mesazhe ku kundërshtonte ndryshimin dhe kërcënonte se “kishte përgjime”. Kjo ishte e papranueshme. Ia përcolla menjëherë Kryeministrit dhe propozova një tjetër emër për Ministrinë e Jashtme.
Më vonë, pasi u shfaq si “i penduar”, më solli një ofertë politike të pazakontë: që unë të bëhesha kryeministër, me mbështetje parlamentare nga PS. E refuzova menjëherë si një skenar i pakuptimtë dhe i papranueshëm.
Në ditët e dhjetorit 2010 dhe fillim janarit 2011, shumicën e kohës e kalova në krye të Komitetit të Emergjencave për shkak të përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë. Në atë kohë mora sinjale se po përgatitej një klimë e nxehtë politike dhe se pritej një “superskandal” në media.
Pas publikimit të videos më 11 janar, më 12 janar unë i dërgova Kryetares së Kuvendit shkresë zyrtare se hiqja dorë nga imuniteti. Dola në konferencë shtypi dhe ftoja Prokurorinë të hetonte. Po ashtu mora pjesë në një debat televiziv ku sqarova qëndrimin tim.
Më pas mora një paralajmërim serioz: që situata ishte më e rënduar nga sa dukej dhe se duhej të largohesha nga detyra ekzekutive. Për të ulur tensionin, vendosa të dorëhiqesha nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit dhe nuk shkela më në atë ministri.
Përpara 21 janarit kishte sinjale se po rekrutoheshin elementë problematikë për ta kthyer protestën në dhunë. Unë e denoncova publikisht dhe paralajmërova se po luhej me zjarr.
Dhuna nuk u parandalua siç duhej, edhe pse kishte thirrje publike të vazhdueshme që e nxisnin atë. Kjo duhej hetuar seriozisht atëherë, kur gjurmët ishin ende të freskëta.
Për video-montazhin që u përdor si nxitje politike, unë kam bindjen se:
- nuk u trajtua si duhet thelbi (vërtetësia e bisedës),
- u përdor si armë politike,
- dhe u instrumentalizua për të ndezur situatën.
Në fund, çështja ndaj meje u mbyll me vendim gjykate unanim për pafajësi.
14 Shtatori 1998
Të gjithë e dimë çfarë ndodhi në ato ditë. Vrasja e Azem Hajdarit ishte një ngjarje që duhej të ishte parandaluar. Ajo nuk ishte thjesht “konflikt”, por një ngjarje e rëndë me pasoja politike dhe shoqërore.
Më 13 shtator situata u tensionua fort. Kryeministri Nano zhvilloi një mbledhje ku u diskutua seriozisht rreziku i destabilizimit. U përmend edhe ideja e dorëheqjes për ç’tensionim, por ajo nuk u ndoq.
Sot besoj se do të kishte qenë më mirë për vendin që të ishin marrë vendime më të forta për të shmangur atë që ndodhi më pas.
Çështja “Hajdari”
Kur u bëra kryeministër në tetor 1999, çështja Hajdari ishte ndër më të rëndat për shtetin dhe qeverinë. Interesimi ndërkombëtar dhe presioni i brendshëm ishin të mëdha.
Takova Prokurorin e Përgjithshëm dhe grupin e prokurorëve të çështjes. Kërkova zbardhjen e plotë dhe të shpejtë, sepse zvarritja ishte kosto për shtetin. Në atë kohë pati edhe presione e sulme politike që synonin të pengonin hetimin.
Kur u sigurua informacion për vendndodhjen e një prej të akuzuarve kryesorë, kërkova që të mos prekej dhe të dorëzohej para drejtësisë, pa “surpriza”. Arrestimi u realizua dhe ishte hap i rëndësishëm për ecurinë e çështjes.
