Një incident i rëndë është shënuar gjatë seancës gjyqësore për protestuesit e arrestuar në protestën e opozitës, ku avokatja e tyre ka denoncuar publikisht se është kërcënuar me vdekje brenda ambienteve të gjykatës.
Avokatja Eda Grimçi, përfaqësuese ligjore e Partisë Demokratike, ka bërë të ditur se 19 protestuesit janë lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, duke u detyruar të paraqiten dy herë në muaj pranë organit të akuzës. Ata po hetohen për “kundërshtim të forcave të rendit”, “prishje të qetësisë publike” dhe “grumbullim të paligjshëm”.
Sipas Grimçit, akuza për prishje të qetësisë publike është absurde dhe bazohet vetëm në faktin se protestuesit “kanë qenë të zhurmshëm dhe kanë bërtitur”. Ajo theksoi se akuza për grumbullim të paligjshëm bie ndesh me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila e njeh protestën si një të drejtë themelore dhe jo si një akt që kërkon leje nga shteti.
Avokatja rrëfeu seanca ka zgjatur rreth katër orë dhe ka qenë tejet e tensionuar. Një nga kërkesat procedurale të mbrojtjes ishte që në sallë të ishin të pranishëm tre deputetë, por kjo u refuzua me arsyetimin se mund të konsiderohej “intimidim ndaj gjykatës”. Ndërkohë, sipas saj, në sallë ndodheshin dy funksionarë të lartë të Policisë së Tiranës, përfshirë edhe nëndrejtorin.
Kulmi i tensionit u arrit pas përfundimit të seancës, kur trupi gjykues u tërhoq për vendim. Në hollin e gjykatës, një person i paidentifikuar iu afrua avokatëve dhe familjarëve, duke i fyer dhe kërcënuar rëndë.
“Na quajti ‘plehra’ dhe na tha ‘ju doni plumbin në ballë’. Kërcënimi ndodhi në prani të rreth 10 efektivëve të policisë”, deklaroi Grimçi. Ajo shtoi se personi vazhdoi të shante dhe të kërcënonte edhe pasi policia ndërhyri, duke e futur atë brenda ambienteve të gjykatës dhe duke mbyllur derën.
Sipas avokates, policia reagoi për të neutralizuar situatën, por jo për të garantuar sigurinë e saj dhe të kolegëve. Ajo hodhi dyshime se personi ishte patronazhist, duke shtuar se kërcënime të ngjashme po vijnë edhe në rrjetet sociale nga profile false, me gjuhë urrejtjeje dhe intimidimi.
Grimçi tha se dosja ndaj protestuesve ishte e varfër në prova, duke përmbajtur vetëm raporte shërbimi dhe disa pamje filmike të transmetuara nga një media televizive. Sipas saj, nuk ka prova konkrete që të vërtetojnë arrestimin në flagrancë, çka e bën të paligjshëm gjithë procesin.
Avokatja paralajmëroi se vendimi i gjykatës do të ankimohet, duke theksuar se drejtësia nuk mund të funksionojë nën presion, kërcënime dhe frikësim politik.
