Dy kampe të lidhura me kryeministrin Edi Rama, ai i zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ai i biznesmenit në kërkim Ergys Agasi (i njohur si Gysi), po tentojnë të rikthejnë kontrollin mbi Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), përmes emërimit të njerëzve të tyre besnikë në krye të institucionit.
Sipas burimeve mediatike, Belinda Balluku synon të propozojë për kryetare të KPP-së Irma Drobonikun, një emër i njohur për afërsinë e saj me rrethin e ngushtë të ministres. Kandidatura e Drobonikut vjen në një moment kur Balluku përballet me disa hetime të hapura në SPAK, ndërsa edhe vetë Droboniku raportohet se është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, e përfshirë në të paktën dy dosje korrupsioni.
Droboniku njihet për lidhjet e saj me Viola Haxhiademin, aktualisht në krye të KESH. Gjatë kohës kur Haxhiademi drejtonte sekretariatin e ministrisë së Ballukut, ajo e emëroi Drobonikun si bashkëpunëtore të afërt të ish-kreut të KPP-së, Jonaid Myzyri. Në atë periudhë, Droboniku konsiderohej si kanali raportues drejt Ballukut për veprimtarinë e KPP-së, duke përcjellë porosi dhe informacione mbi vendimmarrjet e institucionit.
Emri i saj, sipas raportimeve, i është përcjellë së fundmi Kryeministrisë si kandidate për drejtimin e Komisionit të Prokurimit Publik, çka ka ngritur dyshime për një përpjekje të re për të vënë nën kontroll institucionin që menaxhon tenderët publikë, në një kohë kur KPP ndodhet nën vëzhgim të shtuar nga drejtësia.
