Anija “Libra” e Marinës është nisur dje drejt Shqipërisë për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në qendrat e ngritura për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare. Në bord u krye një kontroll fillestar i personave që do të transferoheshin, për të verifikuar nëse ata plotësojnë kërkesat e përcaktuara në protokoll: të jenë me origjinë nga vende të sigurta dhe burra. Në krye të nismës është Ministria e Brendshme, shkruan “La Repubblica”. Gratë, të miturit, personat e torturuar dhe të sëmurët dërgohen në Lampeduza dhe prej këtu vendosen në procesin e pritjes që kërkesa e tyre për azil të shqyrtohet nga komisionet territoriale.
Detaje
Ndërkohë bëhet e ditur se emigrantët e parë që do të strehohen në Gjadër dhe Shëngjin të Lezhës janë nga Bangladeshi dhe Egjipti. Dje u nis anija e parë me refugjatë dhe agjencia e lajmeve “Ansa” ka arritur të mësojë origjinën e tyre. Sipas saj, emigrantët ndodhen në bordin e anijes ‘Libra’ të marinës italiane, e cila duhet të mbërrijë mëngjesin e së mërkurës në portin e Shëngjinit. 10 prej tyre janë nga Bangladeshi dhe 6 egjiptianë. Ata ndodheshin në bordin e disa varkave të vogla që u kapën mbrëmjen e së dielës në ujërat ndërkombëtare nga patrulla të autoriteteve italiane, të cilat më pas i transferuan në Libra. Nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Një procedurë, krahasuar me ato të parashikuara deri më sot, u përshpejtua ndjeshëm. Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat, intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.
Debati
Nga ana tjetër, kryeministrja italiane Giorgia Meloni është përfshirë në një debat me organizatën joqeveritare “Sea Watch”, në lidhje me kampet e Gjadrit dhe Shëngjinit që ditën e nesërme pritet të presin dhe emigrantët e parë. Ishte organizata joqeveritare “Sea Watch”, e njohur për shpëtimin e emigrantëve në det, ajo e cila kritikoi ashpër qeverinë italiane, duke e akuzuar për shpenzimin e miliona eurove të taksapaguesve për të “burgosur mijëra emigrantë në Shqipëri”. Organizata sugjeroi se këto para mund të ishin përdorur shumë më mirë nga ana e qeverisë. Kryeministrja Meloni reagoi menjëherë ndaj këtyre akuzave, duke i cilësuar ato si skandaloze. Ajo mbrojti vendimin e saj, duke theksuar se qeveria, me një mandat të qartë nga qytetarët, po punon për të mbrojtur kufijtë italianë dhe për të ndaluar trafikimin e qenieve njerëzore nëpërmjet marrëveshjeve ndërkombëtare dhe veprimeve konkrete.
Çfarë do ndodh në Shqipëri?
Sapo anija të mbërrijë në portin e Shëngjinit, emigrantët do të zbresin dhe do t’i nënshtrohen një kontrolli të dytë më të thelluar. Më pas ata do të transferohen në Gjader, rreth njëzet kilometra më larg, ku tre struktura iu dorëzuan Ministrisë së Brendshme italiane më 9 tetor për testim. Qendra ka në përbërje një strukturë ku do të vendosen azilkërkuesit, me 880 vende (nga të cilat deri më sot janë gati vetëm 400, më pak se gjysma), një infermieri me 144 vende dhe një burg i vogël me 20 vende. Pikërisht këtu, në këtë mega strukturë, emigrantët që i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare.
