Një 41-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Korçë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Polena”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin që i arrestuari kishte në përdorim në fshatin Polenë, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë, e ndarë në doza gati për shitje.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi N. Dh., alias M. K., 41 vjeç, banues në fshatin Voskop, Korçë. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Operacioni u finalizua nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për aktivitet të kundërligjshëm në fushën e shpërndarjes së drogës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale.
