Kuvendi vijon seancën maratonë, debat për ndryshimet në Kodin Penal

Data

Kuvendi i Shqipërisë vijon seancën plenare maratonë, e cila ka nisur që në orët e para të mëngjesit. Debatet më të forta janë shënuar që në fillim të seancës, ku opozita është përplasur me ministren e Brendshme lidhur me protestën e Partisë Demokratike të zhvilluar ditën e shtunë.

Gjatë ditës, deputetët kanë shqyrtuar aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2025, ndërsa në vijim të seancës priten diskutime të forta edhe për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, të cilat pritet të thellojnë përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës.

Një nga pikat më të debatueshme lidhet me çështjen e shpifjes. Sipas ndryshimeve të propozuara nga mazhoranca socialiste, shpifja dekriminalizohet pjesërisht, vetëm për gazetarët. Socialistët kanë kundërshtuar propozimin e Partisë Demokratike për heqjen e plotë të shpifjes si vepër penale për të gjithë qytetarët.

Projektligji përfshin gjithashtu masa shtesë për mbrojtjen e gazetarëve, duke parashikuar dënime për ata që i kërcënojnë ose ushtrojnë dhunë ndaj tyre për shkak të ushtrimit të profesionit.

Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë edhe ashpërsim të dënimeve për një sërë veprash penale. Sipas draftit, do të vendoset dënim me burg deri në një vit për parkim të dyfishtë, si dhe masa më të rënda ndëshkuese për ndërtimet pa leje dhe zjarrvëniet e qëllimshme.

Debatet për këto ndryshime pritet të zgjasin, ndërsa opozita ka paralajmëruar qëndrime të forta kundër projektligjit të mazhorancës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related