“Taulant, po të vjen radha!”/ Shehaj: Rama po përdor të njëjtën skemë si me Xhaçkën për të shpëtuar Ballukun

Data

Kryetari i Partisë Mundësia, deputeti Agron Shehaj, ka akuzuar ashpër mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama se po përdorin çdo mjet politik dhe institucional për të penguar drejtësinë në çështjen e Belinda Ballukut, e cila përballet me kërkesë nga SPAK për heqje imuniteti dhe arrestim.

Nga foltorja e Kuvendit, Shehaj deklaroi se qeveria po ndjek të njëjtën skemë zvarritjeje që u përdor më herët për deputeten Olta Xhaçka, duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Komisionin e Venecias, me qëllim fitimin e kohës deri në përfundimin e afateve.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është kthyer në shpresën e fundit të qeverisë për të mbrojtur të korruptuarit nga drejtësia e re, pasi drejtësia e vjetër ishte, siç u shpreh ai, “në krahun e pushtetit”.

Shehaj u ndal edhe te Kadastra e Vlorës, duke theksuar se aty janë shkarkuar 16 drejtorë, ndërsa prona e shqiptarëve vazhdon të grabitet prej dekadash. Ai tha se problemi i pronës është padrejtësia më e madhe e 35 viteve dhe se përfituesit kanë qenë politikanë dhe zyrtarë të lidhur me pushtetin.

Gjatë debatit, Shehaj përplasi drejtpërdrejt Erion Braçen, i cili tentoi ta kundërshtonte duke përmendur vendime gjyqësore në favor të Olta Xhaçkës. Deputeti i opozitës u përgjigj se pavarësisht këtyre vendimeve, prona në Himarë rezultoi e grabitur dhe për këtë çështje është dënuar ish-kryebashkiaku i zonës.

Në fund të fjalës, Shehaj u drejtua edhe kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, me një paralajmërim të drejtpërdrejtë:

“Mos ma bëj me kokë Taulant, se po të vjen radha edhe ty.”

Ai theksoi se vendimi për fatin e të korruptuarve nuk do të merret në Kuvend, por nga drejtësia dhe faktorë ndërkombëtarë, duke shtuar se koha e pandëshkueshmërisë po mbyllet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related