“Një betejë me kohën dhe fatin” – Zjarrfikësit rrëfejnë operacionin tragjik në Gramsh

Data

Zjarrfikësit e Gramshit kanë ndarë një rrëfim prekës për aksidentin e rëndë në aksin Gramsh–Poroçan, ku humbi jetën një infermiere dhe u plagosën shoferi i kamionit dhe një mësuese. Ata e cilësojnë ndërhyrjen si një nga operacionet më të vështira dhe më të dhimbshme, një përballje të drejtpërdrejtë me kohën, terrenin e ashpër dhe fatin.

Kamioni me tonazh të lartë kishte dalë nga rruga dhe ishte rrokullisur në një shpat pylli me pjerrësi të madhe. Brenda mjetit ndodheshin tre persona. Në kushte tejet të vështira, mes llamarinave të shtrembëruara dhe hekurit të prerë me mjete shpëtimi, zjarrfikësit arritën fillimisht të nxirrnin mësuesen, e cila u dërgua me urgjencë në spital. Pas më shumë se një ore përpjekjesh të pandërprera, u nxor edhe shoferi.

Shpresa e fundit ishte infermierja, e bllokuar në një pozicion tepër të rrezikshëm poshtë mjetit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe angazhimit njerëzor deri në limit, ajo u gjet pa shenja jete. Një humbje që, sipas zjarrfikësve, i preku të gjithë thellë.

Shërbimi zjarrfikës shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës dhe urimet për shërim të shpejtë për dy të plagosurit. Një falënderim i veçantë u drejtua banorëve të zonës, urgjencës, stafit të spitalit të Gramshit dhe Policisë, për bashkëpunimin në një nga ditët më të rënda për komunitetin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related