Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se protesta kombëtare e 24 janarit shënoi një kthesë të fortë në reagimin qytetar ndaj qeverisë, duke e cilësuar qëndresën e qytetarëve si të paprecedentë.
I ftuar në një emision televiziv, Këlliçi tha se për herë të parë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, nuk u tërhoqën përballë presionit dhe dhunës policore. Sipas tij, vendosmëria e protestuesve tregoi se frika është thyer dhe se qytetarët nuk janë më të gatshëm të tërhiqen.
“Qytetarët qëndruan përballë policisë. Ishte hera e parë që refuzuan të largoheshin. Kërkesa për të qëndruar erdhi nga vetë protestuesit. Kjo është qëndresë,” u shpreh Këlliçi.
Ai bëri të ditur se Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë me ministren e Brendshme për përdorimin e bombolave të gazit lotsjellës të skaduar, duke kërkuar sqarime se kush dha urdhrin për përdorimin e tyre kundër protestuesve.
Deputeti demokrat paralajmëroi gjithashtu se protesta e radhës kombëtare do të thirret brenda kësaj jave dhe do të jetë edhe më masive dhe më energjike se ajo e 24 janarit. Sipas tij, vendimi do të merret sapo kryetari i PD-së, Sali Berisha, të kthehet nga Strasburgu.
“Qytetarët nuk duan të ndalen më. Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme dhe vendosmëria është shumë herë më e lartë. Protesta e radhës do të jetë edhe më e fortë,” theksoi Këlliçi.
Ai shtoi se opozita do të vijojë aksionin politik në rrugë, duke e cilësuar reagimin qytetar si sinjal të qartë se shoqëria nuk pranon më dhunë, presion dhe qeverisje me frikë.
