Tregu Industrial në Vlorë pritet të mbyllet pas një njoftimi zyrtar të Bashkisë, e cila u ka lënë tregtarëve vetëm tre ditë afat për t’u larguar nga ambientet ku ushtrojnë aktivitetin prej vitesh. Vendimi ka shkaktuar revoltë të fortë mes tregtarëve, të cilët e konsiderojnë veprimin të nxituar dhe pa zgjidhje reale.
Sipas bashkisë, në zonën ku ndodhet aktualisht tregu është parashikuar ndërtimi i një tregu të ri. Megjithatë, tregtarët shprehen mosbesues, duke theksuar se nuk ka asnjë garanci konkrete që projekti do të realizohet dhe se rrezikojnë të mbeten pa vend pune për një kohë të pacaktuar.
Si alternativë e përkohshme, autoritetet u kanë propozuar zhvendosjen pranë zonës së Stacionit të Trenit. Por tregtarët refuzojnë këtë zgjidhje, duke deklaruar se kushtet janë edhe më të këqija, pa infrastrukturë dhe pa standardet minimale për ushtrimin e aktivitetit tregtar.
Në shenjë proteste, rreth 200 tregtarë janë mbledhur para Bashkisë së Vlorës, duke kërkuar anulimin e vendimit ose një zgjidhje të menjëhershme dhe të garantuar. Mes thirrjeve dhe pankartave, ata shprehen të revoltuar: “Votat na i morët, tani nuk na doni më”.
Kryetari i Bashkisë ka komunikuar se do të zhvillohet një takim me përfaqësuesit e tregtarëve për të diskutuar situatën. Megjithatë, protestuesit paralajmërojnë se nëse nuk u ofrohet një zgjidhje konkrete dhe e pranueshme, protestat do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen.
