Dy persona, një shtetas rus dhe një shqiptar, kanë përfunduar në prangat e policisë italiane, pasi tentuan të grabisnin një restorant të njohur në qytetin e Riminin, duke përdorur një metodë të pazakontë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, kur autorët hapën një vrimë në murin e jashtëm të restorantit për të hyrë brenda, pa thyer hyrjen kryesore. Pasi arritën të futeshin në ambientet e lokalit, ata morën paratë që ndodheshin në arkë, si edhe disa shishe vere dhe ushqime të shtrenjta, me një vlerë prej disa qindra eurosh.
Megjithatë, tentativa e tyre për t’u larguar pa u vënë re dështoi. Sistemi i kamerave të sigurisë regjistroi çdo lëvizje dhe pamjet filmike çuan në identifikimin e shpejtë të autorëve.
Policia ndërhyri menjëherë dhe arrestoi dy të dyshuarit, një 36-vjeçar rus dhe një 37-vjeçar shqiptar, të cilët akuzohen si pjesë e një grupi që kryente grabitje të bizneseve duke përdorur të ashtuquajturën “teknikë e vrimave”.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse dy të arrestuarit janë të përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme në zonë.
