Po mbahet Konferenca Kombëtare për të drejtën e Informimit
Në fjalën e saj ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, ka deklaruar se kemi kaluar nga një e shkuar ku kishte sytë mbi gjithçka e gjithkënd, tek një sistem ku gradualisht sytë e gjithkujt drejtohen nga shteti.
Ajo shtoi se në transparenca mbi punën e administratës është një ushqyes i pazëvendësueshëm i besimit, ndërsa shtoi se i është kushtuar vëmendje inovacionit për akses në informacion.
Pirdeni ka kujtuar se një vit më parë, në 2023 u miratua ligji për të dhënat e hapura përmes portalit opendata.gov.al. portal i cili do të jetë më i pasuruar dhe me variant të ri.
Fjala e plotë:
Më lejoni që t’ju uroj mirëseardhjen edhe nga ana ime në këtë Konferencë dedikuar transparencës, konferencë bashkëinicuar me Komisionerin Dervishi, të cilin gjej rastin ta falenderoj për dëshirën e mirë për të sjellë sot një panoramë të aktualizuar të progresit të transparencës institucionale, të problematikave që kanë shoqëruar ndër vite hapjen graduale të institucioneve drejt standardeve të transparencës, por edhe rrugëtimin që kemi ende përpara, nga perspektiva e disa aktorëve shtetërorë e joshtetërorë.
Në kontekstin shqiptar diskutimi publik mbi transparencën merr ngjyrimet e diktuara nga gjurmët e tranzicionit, nga trashëgimia e një të shkuare orvelliane ku shteti kishte sytë mbi gjithçka e gjithkënd, ku aparati shtetëror ishte krijues por njëherësh dhe konsumues i vetëm i dokumentacionit zyrtar, tek një sistem ku gradualisht sytë e kujtdo drejtohen nga shteti. Kështu bashkë me zhvillimin aspakt të lehtë të demokracisë u lidh pazgjidhshmërisht në Kushtetutë e ligj liria për t’u informuar mbi veprimtarinë publike me përgjegjësinë për të dhënë informacion, si një shërbim publik i dedikuar dhe detyrim i trupëzuar tek çdo organ publik.
Ky vit shenjon dekadën e miratimit të Ligjit Për të drejtën e informimit” dhe nisjen e një procesi kuptimi, pranimi dhe zbatimi të një qasje të re, më efektive, dhe më të shpejtë ndaj transparencës. Me kalimin e viteve pati një proces gradual të shtimit të autoriteteve publike që kanë detyrim të zbatojnë programin e transparencës nga 145 institucione në vitin 2015 në 332 në vitin 2023, sikurse edhe prej vitit 2018 u vu në funksionim regjistrit qendror i kërkesave dhe përgjigjeve, i cili sot është funksional në 222 autoritete publike, duke vendosur kështu themelet e një shtrirje kapilare të sistemit të dhënies së informacionit.
Me fokus forcimin e efektivitetit të zbatimit të transparencës në praktikë, në 2023 u mundësua përshtatja e kuadrit ligjor me nevojat që buronin nga realiteti institucional relativisht kompleks. Amendimet e ligjit adresuan gjetjet e Komisionit Evropian për t’i dhënë zgjidhje praktike procesit të dhënies së informacionit, duke ngarkuar me përgjegjësi themelore titullarin e institucionit për vonesa ose mosdhënie informacioni, për të mos ia ngarkuar këtë përgjegjësi vetëm koordinatorit i cili mbetet pika e kontaktit me qytetarin. Ligji njeh një trajtim të veçantë për koordinatorin përmes akordimit të shtesës në pagë, për t’iu qasur këtij detyrimi me më shumë motivim.
Paralelisht, po në vitin 2023 Shqipëria bëri një hap tjetër cilësor përpara, përmes miratimit të ligjit për të dhënat e hapura dhe për ripërdorimin e informacionit të sektorit publik, për të vënë në dispozicion të publikut përmes portalit opendata.gov.al një koleksion të gjerë informacioni për sektorë të ndryshëm, duke nisur nga shëndetësia, arsimi, biznesi, buxhetimi, përmes publikimit deri më sot nga AKSHI të 92 grupe të dhënash nga 8 ministri dhe 5 institucione varësie me rëndësi për të dhënat që gjenerojnë dhe ruajnë.
