Banorët e fshatit Luz në Fushë Krujë kanë dalë sot në protestë për të kundërshtuar gjendjen e rëndë të rrugës kryesore, e cila sipas tyre është kthyer në një rrezik serioz për jetën e përditshme, qarkullimin dhe aktivitetin ekonomik të zonës.
Protestës iu bashkua edhe Aulon Kalaja, i cili theksoi se dëmtimi i rrugës ka sjellë pasoja të rënda si për banorët, ashtu edhe për mjetet e vogla dhe ato të tonazhit të rëndë që kalojnë çdo ditë në këtë segment.
“Protesta e banorëve është plotësisht e drejtë. Rruga është në gjendje lufte. Në trotuare mund të thyesh qafën nga lluca. Bizneset përgjatë rrugës janë drejt falimentimit, sepse askush nuk guxon ta përdorë këtë aks. Banorët jetojnë mes baltës, ndotjes dhe dëmtimeve të vazhdueshme të banesave”, u shpreh Kalaja.
Sipas tij, mjetet e vogla përfundojnë shpesh në servise për shkak të dëmtimeve, ndërsa kamionët e tonazhit të rëndë, veçanërisht ata të fabrikave të çimentos, e përdorin këtë rrugë kryesisht gjatë natës, duke e përkeqësuar edhe më tej situatën.
“Ky nuk është një segment fshati, por unaza e Fushë-Krujës, një rrugë jetike që përdoret nga rreth 100 mijë banorë. Kërkesa është e qartë: zgjidhje reale, jo çakull për sy e faqe, por asfalt sipas standardeve europiane”, theksoi ai.
Banorët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë nëse nuk merren masa urgjente për rehabilitimin e plotë të rrugës.
