Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka publikuar pamje nga Tuneli i Murrizit në Rrugën e Arbërit, duke denoncuar gjendjen e rënduar të infrastrukturës. Sipas saj, segmenti paraqitet i amortizuar, pavarësisht kostos së lartë që u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë.
Në reagimin e saj, Vata e cilëson Rrugën e Arbërit si “rruga e florinjtë”, duke theksuar se miliona euro janë shpenzuar për ndërtimin e saj, ndërsa sot një nga veprat kryesore, Tuneli i Murrizit, shfaq probleme serioze.
Pamjet e publikuara tregojnë dëmtime dhe mangësi në tunel, çka sipas deputetes përbën rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe është tregues i keqmenaxhimit dhe abuzimit me fondet publike. Ajo kërkon përgjegjësi dhe ndërhyrje të menjëhershme për garantimin e standardeve dhe sigurisë në këtë aks të rëndësishëm rrugor.
