Akuza të forta janë hedhur ndaj kryeministrit Edi Rama nga ish-deputetja greke e “Nea Demokratia”, Niki Tzavella, e cila pretendon se ai ka përfituar një bursë për studime në Universitetin e Harvardit nga një fondacion grek, për shkak të origjinës greke të nënës së tij.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tzavella shprehet se në kohën kur ishte nënkryetare e fondacionit dhe përgjegjëse për përzgjedhjen e studiuesve nga Europa Juglindore, ka qenë ajo që ka përzgjedhur Ramën, i cili në atë periudhë mbante detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Sipas saj, kriteri kryesor për përfitimin e bursës ishte prejardhja nga minoriteti grek, kriter që Rama e përmbushte për shkak të origjinës së nënës. Ajo shton se në atë kohë Rama plotësonte kushtet formale dhe profesionale, por sot e cilëson këtë vendim si “gabimin më të madh” të saj.
Tzavella thekson se Rama nuk ka folur asnjëherë publikisht për studime në Harvard dhe mbetet e paqartë nëse bursa është përdorur realisht. Ajo e akuzon kryeministrin për mosmirënjohje dhe armiqësi ndaj Greqisë, duke pretenduar se ai ka përfituar personalisht nga fondacioni helenik.
Deri në këto momente, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga kryeministri Edi Rama lidhur me këto deklarata, ndërsa akuzat kanë shkaktuar jehonë dhe debat publik në Greqi dhe Shqipëri.
