Pas protestës së paralajmëruar në Malin e Zi, bllokime të ngjashme pritet të ndodhin edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke ndikuar drejtpërdrejt në qarkullimin e mallrave mes dy vendeve.
Autoritetet kanë njoftuar se për shkak të një proteste të organizuar nga shoqatat e transportit të mallrave në territorin e Maqedonisë së Veriut, do të ketë bllokim të përkohshëm të lëvizjes së mjeteve transportuese të mallrave në hyrje dhe dalje të pikave kufitare me Shqipërinë.
Sipas informacionit zyrtar, duke filluar nga ora 00:01 e datës 26 janar 2026, do të ndalohet hyrja e mjeteve të transportit të mallrave në Maqedoninë e Veriut, ndërsa nga ora 12:00 e po asaj date, do të ndalohet edhe dalja e tyre nga territori i RMV-së.
Nga ky kufizim do të përjashtohen mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë medikamente mjekësore dhe bagëti, të cilat do të lejohen të qarkullojnë normalisht. Gjithashtu, qarkullimi i automjeteve të udhëtarëve nuk do të preket dhe do të vijojë pa pengesa.
Autoritetet u bëjnë thirrje subjekteve të transportit dhe qytetarëve që të informohen paraprakisht dhe të marrin masat e nevojshme për të shmangur vonesat dhe problematikat gjatë kësaj periudhe.
