Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq gjashtë persona, të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, në kuadër të një skeme të organizuar për dërgimin e shtetasve shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas hetimeve, të pandehurit ofronin kalimin e paligjshëm kundrejt një pagese prej 35 mijë eurosh për person, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe itinerare të ndërlikuara përmes vendeve të Karaibeve dhe Porto Rikos, me destinacion final SHBA-në dhe Kanadanë.
Të pandehur në këtë çështje janë shtetasit:
H.M., L.M., A.P., C.N., A.M. dhe E.N.
Nga hetimet rezulton se H.M., i dënuar më parë për veprimtari të ngjashme kriminale, ishte organizatori kryesor i skemës. Ai dyshohet se falsifikonte dokumente dhe ndihmonte kalimin e paligjshëm të kufijve, duke komunikuar me bashkëpunëtorët edhe nga paraburgimi, përmes dy numrave telefonikë të futur në mënyrë të paligjshme në institucionin e vuajtjes së dënimit.
L.M., bashkëshortja e tij, ka marrë pjesë aktive në organizimin e udhëtimeve dhe ka përfshirë edhe vëllain e saj, A.P., në menaxhimin e porosive dhe koordinimin e kalimeve.
E.N., punonjës i një agjencie turistike, ka ndihmuar grupin duke siguruar foto të dokumenteve të huaj, të cilat përdoreshin si bazë për prodhimin e dokumenteve false.
C.N., shofer automjeti, ka pasur rolin e transportimit të dokumenteve të falsifikuara, ndërsa A.M. ka vënë në dispozicion pasaportën e tij britanike, e cila shërbente si model për krijimin e dokumenteve të tjera të rreme.
Prokuroria ka ngritur ndaj tyre akuzat për veprat penale:
- “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”
- “Falsifikim i dokumentit”
- “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”
- si dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, për shtetasin H.M.
Materialet procedurale janë depozituar në gjykatë dhe pritet që çështja të shqyrtohet në vijim për përgjegjësinë penale të secilit prej të pandehurve.
