Aksi rrugor Qukës – Qafë Plloçë ka pësuar çarje të konsiderueshme në afërsi të kthesës së fshatit Trebinjë, në segmentin e lotit të dytë. Dëmtimet janë konstatuar në pjesën qendrore të trasesë, duke detyruar autoritetet të orientojnë qarkullimin e mjeteve vetëm në një korsi, për arsye sigurie.
Problematika vjen pas reshjeve të shpeshta, që kanë shoqëruar zonën me rrëshqitje masive dherash. Rruga ka shfaqur herë pas here probleme të ngjashme, përfshirë rrëshqitje dhe rënie inertesh nga skarpatet, duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë e saj.
Rruga Qukës – Qafë Plloçë u inaugurua në fillim të shtatorit 2025, pas një ndërtimi që zgjati rreth 16 vite dhe me një kosto prej rreth 260 milionë eurosh. Pavarësisht përfundimit të punimeve, problematikat e vazhdueshme kanë rikthyer debatet mbi cilësinë e ndërtimit dhe studimin gjeologjik të zonës.
Firma kontraktore ndodhet në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar është njoftuar dhe pritet të ndërhyjë për vlerësimin dhe riparimin e dëmtimeve.
