Mijëra qytetarë kanë mbushur rrugët e Karakasit, duke protestuar në mbështetje të ish-presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili ndodhet i arrestuar në Shtetet e Bashkuara pas një operacioni ushtarak të zhvilluar më 3 janar. Demonstruesit kërkuan lirimin e tij dhe kthimin në vend së bashku me bashkëshorten.
Tubimi u zhvillua në përvjetorin e 68-të të rënies së diktaturës së Marcos Pérez Jiménez, një datë simbolike për historinë politike të vendit. Në qendër të kryeqytetit u shfaqën pankarta me thirrje për rikthimin e Maduros, ndërsa pjesëmarrësit e cilësuan arrestimin e tij si të padrejtë dhe të paligjshëm.
Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, ka shprehur gatishmëri për të ndërtuar marrëdhënie më të afërta me Uashingtonin, por qeveria e saj vijon të kërkojë zyrtarisht kthimin e Maduros dhe bashkëshortes së tij, të cilët mbeten në paraburgim në SHBA.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit akuzuan Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje dhe përpjekje për të kontrolluar burimet energjetike të Venezuelës. “Nafta është e jona dhe duhet të na kthehet”, deklaruan disa prej protestuesve, duke kundërshtuar hapur politikat amerikane.
Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, gjatë fjalës së tij në tubim, theksoi se rikthimi i Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij është prioritet kombëtar, ndërsa siguroi se qeveria e përkohshme gëzon mbështetjen e plotë të partisë në pushtet.
Protesta u zhvillua në një klimë të tensionuar politike, ndërsa situata në Venezuelë mbetet e paqartë dhe e ndarë mes thirrjeve për stabilitet dhe përballjes me zhvillimet ndërkombëtare.
