Juristi Romeo Kalaja ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të paraqitura nga Irena Gjoka në Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke deklaruar se ato bien ndesh me dokumente dhe vendime gjyqësore të formës së prerë në Greqi. Sipas Kalasë, faktet ligjore janë të qarta dhe rrëzojnë versionin e paraqitur nga Gjoka në ankim.
Në reagimin e tij, Kalaja rendit disa pika kryesore ku, sipas tij, qëndrimet e Gjokës nuk përputhen me realitetin juridik. Ai thekson se ekzistojnë vendime të dy gjykatave greke që flasin për probleme me dokumentacionin e udhëtimit, përfshirë falsifikim vize dhe vule në pasaportë, çka ka sjellë ndalimin e kalimit të kufirit.
Kalaja pretendon se Gjoka ka qenë në dijeni të plotë të procedimeve dhe vendimeve gjyqësore ndaj saj, duke kundërshtuar deklarimet se ajo nuk kishte informacion mbi hetimin dhe gjykimin. Sipas tij, dokumentet tregojnë se vetë Gjoka ka qenë palë kërkuese në proceset gjyqësore përkatëse.
Një tjetër pikë e ngritur lidhet me prokurat dhe dokumentet e dorëzuara, të cilat, sipas Kalasë, provojnë dijeninë e saj për masat e marra dhe dëbimet, si dhe faktin që këto çështje janë të hershme dhe nuk lidhen me publikime mediatike të viteve të fundit.
Kalaja thekson gjithashtu se, sipas tij, ka pasur mosdeklarime dhe deklarime të rreme në formularë zyrtarë në disa momente kyçe, përfshirë procesin e vettingut, zgjedhjen në krye të një institucioni të rëndësishëm të drejtësisë dhe në procese gjyqësore të mëvonshme.
Në përfundim, ai shprehet se këto elemente përbëjnë, sipas tij, një shkelje të rëndë ligjore dhe kërkon që institucionet përkatëse të shqyrtojnë me serioz pretendimet dhe dokumentacionin e paraqitur, duke theksuar se zbardhja e plotë e çështjes është thelbësore për besimin te sistemi i drejtësisë.
