Një 39-vjeçar shqiptar, i cilësuar si kreu i një organizate të fuqishme ndërkombëtare të narkotrafikut, është arrestuar në Dubai me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Ai ishte në kërkim prej vitit 2019 si nga autoritetet italiane, ashtu edhe nga ato shqiptare.
Sipas hetimeve, 39-vjeçari drejtonte një rrjet kriminal që vepronte mes Italisë, Shqipërisë dhe Holandës, i specializuar në trafikimin e kokainës, marijuanës dhe hashashit. Organizata kishte bazë operative në zonën e Venecias, ndërsa droga shpërndahej në disa qytete të Venetos, përfshirë Mestre, Jesolo, Scorzè dhe Noventa di Piave.
Arrestimi i tij u bë i mundur pas një pune të gjatë hetimore, që përfshiu përgjime, mbikëqyrje elektronike dhe ndjekjen e familjarëve të tij në Itali dhe Shqipëri. Pikërisht kontaktet me familjen rezultuan vendimtare për zbulimin e vendndodhjes së tij. Një ftesë për të festuar Vitin e Ri në Dubai me të afërmit, çoi autoritetet në gjurmët e tij.
Hetuesit italianë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Interpolin, arritën të gjeolokalizonin të dyshuarin dhe të informonin autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat organizuan arrestimin.
39-vjeçari ishte dënuar në mungesë me 8 vite e 7 muaj burg për dy procese të ndryshme penale, me vendime të formës së prerë, ku ishte provuar roli i tij drejtues në organizatën kriminale. Ai konsiderohej figura kryesore vendimmarrëse, duke menaxhuar furnizimin ndërkombëtar të drogës dhe shpërndarjen në tregjet italiane.
Operacioni është pjesë e projektit ndërkombëtar për kapjen e personave në kërkim, i cili synon lokalizimin dhe arrestimin e figurave kyçe të krimit të organizuar që fshihen jashtë Europës. Tashmë pritet nisja e procedurave për ekstradimin e tij drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia.
