Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar mungesën e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes, nismë e ndërmarrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Një ditë më parë, Rama justifikoi mosprezencën duke deklaruar se kishte pritur Ivanka Trump në Shqipëri dhe se këtë veprim e kishte bërë me lejen e Presidentit amerikan. Por sipas Berishës, kjo deklaratë është një mashtrim i hapur.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se Trump e kupton qartë se Edi Rama është një lider autoritar, të cilin ai e cilësoi si “Ramaduro”, duke e krahasuar me presidentin venezuelian Nicolas Maduro.
“Asnjë njeri në botë nuk mund të besojë një mashtrim të tillë. Të thuash se Presidenti i SHBA përdor vizitën e vajzës së tij për të shmangur një kryeministër, është absurde. Trump ka respekt maksimal për vajzën e tij, por për Edi Ramën e di shumë mirë se kush është. Ai është një ‘Ramaduro’ i vërtetë,” deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së iu referua edhe deklaratës së vetë Donald Trump, i cili gjatë ceremonisë së Bordit të Paqes u shpreh se ka “2-3 liderë që nuk i pëlqen dhe nuk i duron dot”. Sipas Berishës, një prej këtyre liderëve është pikërisht Edi Rama.
“Rama nuk u lejua të ishte në atë sallë historike. Ai u ndalua. Vetë Trump e tha se ka disa liderë që nuk i honeps dot dhe njëri prej tyre është Rama. Të tjerët do t’i zbulojmë më vonë,” shtoi Berisha.
Sipas tij, mungesa e Ramës në një akt të tillë ndërkombëtar tregon izolimin e tij në arenën ndërkombëtare dhe mungesën e besimit që liderët perëndimorë kanë ndaj qeverisjes së tij.
Berisha e cilësoi themelimin e Bordit të Paqes si një ngjarje madhore globale, duke theksuar se përjashtimi i kryeministrit shqiptar nga ky moment është një sinjal i fortë politik dhe diplomatik.
