Një ngjarje e rëndë familjare është regjistruar në Greqi, ku policia ka arrestuar një adoleshent 14-vjeçar shqiptar, i dyshuar se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij 16-vjeçare.
Sipas mediave greke, i mituri, nxënës në një gjimnaz të Selanikut, dyshohet se e ka goditur motrën me grushte pas një konflikti mes tyre për arsye banale. Si pasojë e dhunës, vajza u transportua në spital, ku mori ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, ndërsa pas ndërhyrjes së policisë, 14-vjeçari u shoqërua dhe u arrestua për dhunë në familje.
Paraditen e sotme, adoleshenti u paraqit në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Selanik, ku me urdhër të prokurorit u la i lirë, ndërsa autoritetet nisën një hetim paraprak për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Autoritetet greke po trajtojnë çështjen sipas procedurave për të miturit, ndërsa pritet të vlerësohen edhe masat mbrojtëse për vajzën e dhunuar.
