U vra në një burg në Greqi pak ditë më parë, hapet proces në Kushtetuese për pasuritë e Jani Alisë

Data

Edhe pse u vra pak ditë më parë në një burg në Greqi, proceset gjyqësore ndaj Jani Alisë vijojnë ende në Shqipëri.

Në Gjykatën Kushtetuese është hedhur shorti dhe është caktuar si gjyqtare relatore Marjana Semini për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Jani Alia dhe tre persona të tjerë të lidhur familjarisht me të. Ata kërkojnë shfuqizimin si antikushtetues të tre vendimeve gjyqësore që lidhen me konfiskimin e pasurive të tyre.

Vendimet e kundërshtuara kanë të bëjnë me konfiskimin e pasurive në kuadër të masave parandaluese kundër krimit të organizuar. Më 9 maj 2023, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin e shkallës së parë për konfiskimin e pasurive të Jani Alisë dhe familjarëve të tij.

Sipas vendimit, pasuritë e konfiskuara përfshijnë njësi shërbimi dhe banimi në Gjirokastër, objekte në proces legalizimi, sipërfaqe toke ullishte në zonën e Borshit në Sarandë, si dhe një vilë në proces legalizimi në të njëjtën zonë.

Këto pasuri janë konfiskuar dhe kaluar në favor të shtetit, bazuar në aktin normativ për masat parandaluese në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.

Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë nëse vendimet për konfiskimin e pasurive kanë cenuar parimet kushtetuese dhe të drejtat e subjekteve ankimuese, ndërsa data e seancës ende nuk është bërë publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related