Seanca plenare në Kuvend u shoqërua me tensione të forta, teksa ish-kryeministri Sali Berisha u përfshi në replika të ashpra me deputeten socialiste Sara Mila. Nga foltorja, Berisha reagoi ndaj kundërshtimeve nga salla me tone kërcënuese, duke i drejtuar Milës fjalët: “Lëvize kokën, por do pendohesh për atë kokë që lëviz”.
Deputetja socialiste iu përgjigj menjëherë, duke e akuzuar Berishën për përgjegjësinë e tij ndaj Shqipërisë dhe duke vënë në pikëpyetje moralin e sulmeve të tij. Debati u përshkallëzua më tej me ndërhyrjen e kryeministrit, i cili iu referua statusit “non grata” të Berishës, duke mbështetur reagimin e deputetes.
Përplasja e radhës thelloi klimën e tensionit politik në Kuvend, në një seancë që u shënua nga akuza, replika të ashpra dhe ndërhyrje të vazhdueshme nga salla.
