Shpifja del nga Kodi Penal për gazetarët, Kuvendi miraton ndryshimet historike për lirinë e medias

Data

Kuvendi ka miratuar ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal, duke dekriminalizuar veprën penale të shpifjes për gazetarët, një hap i shumëkërkuar prej vitesh nga organizatat e medias dhe institucionet ndërkombëtare.

Sipas dispozitës së re, gazetarët e punësuar ose të vetëpunësuar, të njohur ligjërisht si të tillë, nuk do të mbajnë më përgjegjësi penale për shpifje, nëse publikojnë informacion me mirëbesim, në interes publik dhe duke respektuar rregullat etike të profesionit. Përjashtimi vlen edhe për mediat online dhe platformat e komunikimit publik, pavarësisht shtetësisë apo vendit ku ushtrohet aktiviteti gazetaresk.

Ligji përcakton se “përhapje me mirëbesim” nënkupton publikimin e informacionit mbi baza faktike të arsyeshme, pa dijeni se të dhënat janë të rreme, si dhe përpjekje reale për verifikim. Gazetari ka gjithashtu detyrimin të veprojë pa vonesë nëse informohet për pasaktësi nga personi i prekur.

Po ashtu, ligji qartëson se opinionet, komentet, kritikat apo vlerësimet, edhe kur janë të ashpra, të ekzagjeruara apo fyese, nuk përbëjnë shpifje, përveç rasteve kur përmbajnë pretendime faktike objektivisht të pavërteta.

Ndryshimet forcojnë edhe mbrojtjen penale të gazetarëve, duke ashpërsuar ndëshkimet për dhunën ndaj tyre. Dhuna fizike ndaj një gazetari për shkak të detyrës parashikohet të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet, nëse statusi i tij profesional është i njohur ose i dukshëm.

Ministri i Drejtësisë e cilësoi paketën si një reformë që rrit mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve, ndërsa e harmonizon legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

Dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Komisionit Europian dhe organizatave ndërkombëtare të medias, duke u konsideruar një gur themeli për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related