PL: Paketa e Maleve është grabitje me ligj, Shqipëria shitet për 1 euro

Data

Partia e Lirisë ka reaguar ashpër ndaj Paketës së Maleve të propozuar nga qeveria, duke e cilësuar atë si një ligj që favorizon klientët e pushtetit dhe oligarkët, në dëm të interesit publik, mjedisit dhe komuniteteve lokale.

Në një deklaratë për mediat, anëtarja e kryesisë së PL-së, Miranda Rira, tha se kjo paketë nuk synon zhvillimin ekonomik të zonave malore, por legalizimin e kalimit të pronave shtetërore tek individë të lidhur me qeverinë, me çmim simbolik prej 1 euro.

Sipas saj, ligji hap rrugën për privatizimin e pyjeve, kullotave, livadheve dhe zonave të mbrojtura, duke i kthyer ato në objekte ndërtimi për vila dhe resorte dimërore, pa asnjë përfitim real për banorët vendas. Rira theksoi se fshatarët dhe banorët e zonave malore paguajnë taksa për ndërtimet minimale, ndërsa investitorët e mëdhenj përjashtohen nga detyrimet fiskale.

Partia e Lirisë nënvizon se Paketa e Maleve përsërit skenarët e dështuar të mëparshëm, si ai i bregdetit dhe projektet e “Rilindjes Urbane” apo “100 fshatrave”, të cilat sipas saj nuk ulën shpopullimin dhe nuk rritën punësimin, por sollën shkatërrim mjedisor dhe përqendrim të pasurive në duart e pakicës.

“Ky ligj është një hap tjetër për ta shitur Shqipërinë në llokma. Pas bregdetit, tani po i vihen maleve. Pasuritë natyrore po trajtohen si pronë private e kryeministrit”, thuhet në deklaratë.

PL shpreh shqetësim të thellë edhe për situatën e pronësisë në zonat malore, duke theksuar se mungesa e regjistrimit kadastral dhe pasiguria juridike krijojnë terren për abuzime dhe grabitje masive të pronës publike.

Në përfundim, Partia e Lirisë i bën thirrje Kuvendit të mos e miratojë Paketën e Maleve, duke e konsideruar atë një nga ligjet më të rrezikshme për territorin, mjedisin dhe të ardhmen e zonave malore të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related